KAPITULLI I NAMAZIT E-Mail
Shtune, 01 Maj 2004 23:40
Indeksi i Artikujve
KAPITULLI I NAMAZIT
Page 2
Page 3
Page 4
Të Gjitha

42. FALJA ME RROBA TË TEJDUKSHME
43. FALJA NË NJË DREJTIM TJETËR NGA AI I KIBLES
44. MBULIMI I DUARVE DHE KËMBËVE NË NAMAZ
45. FALJA ULUR
46. FILLIMI I MENSTRUACIONEVE DHE NAMAZI
47. NDËRPRERJA E GJAKUT TË LEHONISË PARA PLOTËSIMIT TË DYZET DITËVE
48. DHEMBJET E LINDJES
49. PIKIMI I URINËS
50. NDËRPRERJA E NAMAZIT
51. NAMAZI I NATËS DHE LEXIMI NË KUR’AN
52. IKAMETI DHE FALJA E SUNETEVE
53. FUNDI I KOHËS SË VITRIT
54. PËRCAKTIMI I NJË TË TRETËS SË FUNDIT TË NATËS
55. SEXHDJA E LEXIMIT TË KUR’ANIT
56. SEXHDJA E LEXIMIT TË KUR’ANIT DHE MBULIMI I TRUPIT
57. DYSHIMI GJATË NAMAZIT
58. VONIMI I JACISË
59. PENDIMI I FSHIN GJYNAHET
60. VONIMI I NAMAZIT
61. NGACMIMET NË NAMAZ
62. NAMAZI DHE PUNA
63. FALJA E NAMAZIT PAS KALIMIT TË KOHËS SË TIJ
64. NDËRPRERJA E NAMAZIT
65. VITRI DHE NAMAZI I NATËS
66. DALJA E GRAVE PËR TË FALUR BAJRAMIN

42. FALJA ME RROBA TË TEJDUKSHME

Pyetje: A lejohet që gruaja të falet me rroba të tejdukshme?

Përgjigje: Namazi i falur me rroba të tejdukshme është i pavlefshëm, pasi rrobat me të cilat duhet të falet gruaja duhet të mbulojnë tërë trupin e saj, përveç duarve dhe fytyrës dhe në të njëjtën kohë nuk duhet të jenë të tejdukshme (d.m.th. nuk duhet të dallohet se ç’ka nën to). Ndërsa këmbët, duhet të mbulohen me çorape të patejdukshme ose me rroba plotësuese.

Ibën Bazi

43. FALJA NË NJË DREJTIM TJETËR NGA AI I KIBLES

Pyetje: Nëse dikush falet gabimisht në një drejtim tjetër nga ai i Kibles, a duhet ta përsërisë edhe njëherë namazin nëse e kupton këtë gjë, pa mbaruar akoma koha e atij namazi?

Përgjigje: Namazi nuk duhet të përsëritet, pasi siç transmetohet në një hadith të saktë, disa prej shokëve të Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i zuri nata në një vend dhe secili prej tyre u fal në një drejtim të caktuar. Kur ia treguan këtë gjë Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ai nuk i urdhëroi që ta përsërisnin namazin.

Albani

44. MBULIMI I DUARVE DHE KËMBËVE NË NAMAZ

Pyetje: A duhet t’i mbulojnë gratë duart dhe këmbët në namaz?

Përgjigje: Zbulimi i duarve në namaz është i lejuar, megjithatë disa dijetarë janë të mendimit se mbulimi i tyre është më i mirë. Ndërsa këmbët, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, duhet të mbulohen, pasi Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kur u pyet nëse lejohet të falet gruaja vetëm me fustan dhe shami, u përgjigj: "Lejohet, nëse fustani e mbulon shpinën e këmbëve".

Disa dijetarë tjerë janë të mendimit se zbulimi i këmbëve gjatë namazit është i lejuar, por sido që të jetë mbulimi i tyre është më i arsyeshëm.

Ibën Xhibrini

45. FALJA ULUR

Pyetje: Një grua e sëmurë, pasi vendosi këmbën e thyer në allçi, nuk mund të falej dot në këmbë, andaj u fal ulur një muaj rresht. A është i rregullt namazi i saj?

Përgjigje: Të qëndruarit në këmbë gjatë namazit është detyrë e domosdoshme (farz), andaj, nëse dikush ka mundësi që të falet në këmbë, qoftë edhe duke u mbështetur në diçka, (p.sh. shkop apo mur), atëherë duhet të falet në këmbë. Nëse, për çfarëdo lloj arsyeje, nuk ka mundësi që të falet në këmbë, atëherë i lejohet të falet ulur.

Andaj namazi i kësaj gruaje ka qenë i rregullt, pasi ajo nuk ka pasur mundësi që të qëndronte në këmbë. Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ka thënë Imran Ibën Husejnit: "Falu në këmbë! Nëse nuk mundesh, falu ulur; nëse nuk mundesh as ulur, atëherë falu shtrirë".

Ibën Xhibrini

46. FILLIMI I MENSTRUACIONEVE DHE NAMAZI

Pyetje: Më filluan menstruacionet në kohën që po falja namazin. Ç’duhet të bëj në këtë rast dhe a duhet t’i zëvendësoj namazet që s’i kam falur gjatë kohës së menstruacioneve?

Përgjigje: Nëse menstruacionet fillojnë pas hyrjes së kohës së namazit, p.sh. gjysmë ore pas mesit të ditës, atëherë gruaja duhet të zëvendësojë namazin e drekës pasi të pastrohet, sepse në kohën e hyrjes së tij, ajo ka qenë e pastër. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: "Me të vërtetë namazi është një detyrë (që duhet të kryhet) në kohë të caktuar". (En-Nisa:103)

Namazet e lëna gjatë kohës se menstruacioneve nuk duhet të zëvendësohen, pasi në një hadith të gjatë, mes tjerave, Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: "... Gruaja kur është me menstruacione nuk duhet të falet apo të agjërojë..."

Gjithashtu, të gjithë dijetarët janë të të njëjtit mendim në lidhje me faktin që gruaja me menstruacione nuk e ka për detyrë zëvendësimin e namazeve.

Nëse rrjedhja e gjakut të menstruacioneve ndërpritet para mbarimit të kohës së namazit, qoftë edhe me një rekat, atëherë fjala e këtij namazi është e detyrueshme, sepse Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: "Kush arrin qoftë dhe një rekat prej namazit të ikindisë para perëndimit të diellit, e ka falur namazin e ikindisë me kohë".

Shkurtimisht mund të themi se nëse gruaja pastrohet kur, prej lindjes apo perëndimit të diellit, ka mbetur aq kohë sa për të falur një rekat, atëherë falja e namazit të sabahut në rastin e parë dhe e atij të ikindisë në të dytin është e detyrueshme për të.

Ibën Uthejmini

47. NDËRPRERJA E GJAKUT TË LEHONISË PARA PLOTËSIMIT TË DYZET DITËVE

Pyetje: A duhet të falet dhe të agjërojë gruaja lehonë, nëse pastrohet para plotësimit të dyzet ditëve? Nëse i vijnë menstruacionet pas kësaj, a duhet ta prishë agjërimin dhe nëse pastrohet përsëri, a duhet të falet e të agjërojë apo jo?

Përgjigje: Nëse gruaja lehonë pastrohet para plotësimit të dyzet ditëve, atëherë ajo duhet të lahet, të falet, të agjërojë Ramazanin dhe, në të njëjtën kohë, i lejohet që të kryejë marrëdhënie seksuale me të shoqin. Nëse rrjedhja e gjakut rikthehet përsëri gjatë 40 ditëshit, atëherë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, ajo konsiderohet përsëri lehonë, derisa të plotësohen 40 ditët.

Nëse rrjedhja e gjakut vazhdon pas plotësimit të dyzet ditëve, atëherë gjaku që del prej saj është gjak i prishur, andaj gruaja konsiderohet e pastër, d.m.th. asaj i lejohet të falet, të agjërojë dhe të kryejë marrëdhënie seksuale me të shoqin, sepse gjendja e saj është e ngjashme me gjendjen e gruas mustehada. Ajo duhet të pastrohet dhe të vendosë një copë të pastër brenda vendit të daljes së gjakut, për të penguar daljen e tij, ashtu siç duhet të marrë abdest për çdo namaz, sepse kështu ka urdhëruar Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

Kur t’i vijnë menstruacionet, ajo duhet të lërë namazin, agjërimin dhe kontaktet seksuale me të shoqin, derisa të ndërpritet plotësisht rrjedhja e gjakut.

Ibën Bazi

48. DHEMBJET E LINDJES

Pyetje: A e kam të detyrueshme faljen nëse ndjej dhembjet e lindjes?

Përgjigje: Nëse gruaja nuk është me menstruacione apo lehonë, atëherë falja është e detyrueshme për të. Nëse rrjedhja e gjakut fillon një ose dy ditë para lindjes, atëherë ky gjak konsiderohet prej gjakut të lehonisë. Nëse dhembjet e lindjes nuk shoqërohen me daljen e gjakut, atëherë gruaja duhet të falet edhe nëse ndjen dhembjet e lindjes, pasi ajo është në pozitën e të sëmurit, i cili duhet të falet megjithëse ndjen dhembjet e sëmundjes. Në të njëjtën kohë, duhet të kemi parasysh se askujt nuk i lejohet lënia e namazit, përderisa mendja e tij është në rregull, d.m.th. nuk vuan nga ndonjë sëmundje psikike.

Ibën Xhibrini


 
Copyright © 2012 Kuran dhe Sunnet. All Rights Reserved.